20 dhjetor, 2018
Associated Press
TIRANË, SHQIPËRI -
Presidenti amerikan Donald Trump ka falënderuar Shqipërinë për largimin e ambasadorit të Iranit dhe një tjetër diplomati iranian të dyshuar si të përfshirë në aktivitete të paligjshme, që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë.
Në një letër dërguar Kryeministrit Edi Rama në 14 dhjetor, presidenti Trump e falenderon “për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit ”.
Teksti i letrës u botua të enjten nga ambasada amerikane në Tiranë në faqen e saj në Facebook.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë të mërkurën bëri me dije, se dy diplomatët u shpallën të padëshiruar për "shkelje të statusit të tyre diplomatik" pas bisedimeve edhe me vendet e tjera, përfshirë Izraelin.
Në letrën e tij presidenti Trump shkruan, se “dëbimi është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane, se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe në mbarë botën do të kenë pasoja të rënda”.
Shahin Gobadi nga sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit duke treguar foto dhe harta, më 20 shtator 2005, gjatë një konference shtypi në Vienë.
Shahin Gobadi i Këshillit Kombëtar të Rezistencës të Iranit me seli në Paris, Francë, gjithashtu përshëndeti dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve si “një akt shumë i nevojshëm dhe i guximshëm”.
Shqipëria është strehë për 2,500 anëtarë të grupit opozitar iranian në mërgim Mujahedin-e Khalk, të cilët u zhvendosën nga Iraku.
Gobadi tha, se “Ambasadat e regjimit klerik në Evropë janë qendra të akteve terroriste kundër disidentëve ”.
Ai tha, se dy komplote të regjimit iranian u parandaluan, një në Shqipëri - një përpjekje për sulm me bombë në ditën e Novruzit (festa e Vitit të Ri të Iranit) në Mars - dhe tjetra në një tubim të iranianëve në Paris në qershor dhe “ambasadat dhe diplomatët e regjimit luajtën një rol të rëndësishëm në të dyja këto komplote terroriste ”.