Irani lançon media në gjuhën shqipe për të shënjestruar disidentët e mërguar

13 Mar 2017

Mediat iraniane kanë ndërmarrë një luftë online kundër një grupi opozitar - disa prej të cilëve jetojnë në mërgim në Shqipëri – duke lançuar  faqe të reja në shqip për të ndikuar opinionin vendas.

Fatjona Mejdini

BIRN-Tirana

Një organizatë joqeveritare iraniane e quajtur shoqata Habilian ka shtuar një rubrikë të re në gjuhën shqipe në faqen e saj të lajmeve Habilian, me qëllimin për të shënjestruar aktivistët e opozitës iraniane, që janë strehuar në Shqipëri vitet e fundit.

"Shoqata Habilian ka lançuar faqen e parë të specializuar në gjuhën shqipe që ofron lajme, analiza dhe dokumente për krimet e kryera nga organizata Muxhahedin-e-Khalq", thuhet në postimin e parë në faqen në gjuhën shqipe  më 29 janar.

Habilian është një prej disa mediave iraniane që kohët e fundit kanë filluar të publikojnë në gjuhën shqipe.

Ndonëse vendimi i saj për të botuar në gjuhën e një vendi të vogël të Ballkanit mund të duket i pazakontë, Habilian është i hapur rreth faktit se shënjestron anëtarët e Muxhahedin-e-Khalq, Muxhahedinët  Popullorë të Iranit, që jetojnë në Shqipëri.

Ndërsa disa besojnë, se ajo po mbështetet nga qeveria iraniane dhe mediat e tjera iraniane që shënjestrojnë MEK-un, një burim diplomatik nga ambasada iraniane në Tiranë e mohoi këtë.

Shqipëria ra dakord të pranojë anëtarët e MEK-ut në vitin 2013, kur kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, ofroi strehim për disa iranianë, që ishin në atë kohë nën mbrojtjen e forcave amerikane në Irak.

Muxhahedinët Popullor të Iranit është një grup opozitar rezistence. I themeluar në vitin 1965 si një opozitë me prirje të majta ndaj regjimit të Shahut, ai iu kthye kundër Republikës Islamike pas Revolucionit të 1979-ës.

SHBA-ja e renditi atë si një organizatë terroriste më 1997, por ajo u hoq nga lista e zezë në vitin 2012 pasi hoqi dorë nga dhuna.

Autoritetet shqiptare kanë refuzuar të japin numrin e saktë të anëtarëve të MEK dhe familjeve të tyre që janë strehuar në vend, por sipas vlerësimeve mendohet se janë rreth 2,000.

Beteja online

Në faqen e internetit të Shoqatës Habilian thuhet se është "një OJQ iraniane e të drejtave të njeriut e krijuar me qëllimin për të sqaruar faktin se Irani është një nga viktimat më të mëdha të terrorizmit".

Në faqen e internetit thuhet se organizata u themelua në vitin 2005 nga një grup familjarësh të viktimave iraniane të terrorit, të vrarë nga organizatat si MEK.

"Ndërsa më shumë se 2,000 anëtarë të këtij kulti të rrezikshëm u zhvendosën në Shqipëri, faqja në shqip e shoqatës Habilian u lançua për të informuar opinionin publik në Shqipëri rreth natyrës së vërtetë të MEK-ut dhe për ta bërë popullit shqiptar të vetëdijshëm, për kërcënimet që ju vijnë atyre  nga ky grup terrorist ", thuhet në të.

Një anëtar i shoqatës Habilian, Masoud Heidari, i tha BIRN-it se seksioni shqip i faqes së internetit synon "të paralajmërojë" shqiptarët për Muxhahedinët  Popullorë të Iranit.

"Ne vendosëm se ishte përgjegjësia jonë të paralajmëronim mediat shqiptare, politikanët dhe më e rëndësi nga të gjithë, popullin shqiptar, për aftësitë e këtij grupi terrorist për të korruptuar politikanët, (për tu angazhuar) në veprimtaritë e pastrimit të parave dhe, së fundmi për natyrën e tyre të kultit, "tha ai.

Në faqen e internetit në gjuhën shqipe mund të gjesh artikuj dhe video të detajuara që theksojnë rreziqet e supozuara të grupit MEK.

Faqja gjithashtu publikon video nga një kanal në YouTube i quajtur Impakt, që transmeton intervista me ata që e quajnë veten ish-anëtarë të MEK-ut.

Kanali i YouTube është i lidhur me një gazetë shqiptare, gjithashtu e quajtur Impakt, e cila që nga vera e shkuar ka shkruar rreth rreziqeve të supozuara që përbën MEK për Shqipërinë.

Habilian nuk është organizata e parë  e mediave iraniane që ka filluar publikimin në gjuhën shqipe.

Në korrik 2016, Irani lançoi median Pars Today në shqip, së bashku me 24 gjuhë të tjera. Pars Today është pjesë e korporatës mediatike shtetërore, IRIB (Islamic Republic of Iran Broadcasting) -Radiotelevizioni i Republikës Islamike të Iranit.

Më 3 mars, Pars Today publikoi një artikull në shqip me titull "Mbështetja e terrorizmit dhe Muxhahedinëve-e-Khalq dëmton kredibilitetin dhe interesat e Shteteve të Bashkuara".

Faqja ka disa artikuj rreth anëtarëve të MEK-ut, të cilët përshkruhen si një grup dhe kult terrorist.

BIRN i kërkoi Pars Today të shpjegojë interesin e tyre për hapjen e një seksioni të gjuhës shqipe, por nuk ka marrë përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.

Organizata opozitare iraniane, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, gjithashtu ka një seksion shqip në faqen e tij zyrtare, së bashku me gjashtë gjuhë të tjera.

Fushatë disinformimi?

Linda Chavez, një ish-përfaqësuese amerikane në Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, e cila vizitoi Shqipërinë në fund të shkurtit për të parë se si jetojnë anëtarët e MEK-ut në vend, i tha BIRN-it se artikujt e publikuar në gjuhën shqipe ishin propagandë e qeverisë iraniane.

Chavez e përshkroi atë si një fushatë disinformimi që synonte t’jua bënte më të vështirë jetën  anëtarëve të MEK-ut në vend.

" Shpresoj, se nuk do të konsiderohet nga populli shqiptar, sepse MEK-u, me të cilin unë kam një lidhje të gjatë, kundërshton regjimin misogjinist anti-gra  në Iran, që po vazhdon të shtypë popullin e vet", tha ajo.

"Rreziku sipas meje është, nëse propaganda iraniane merret seriozisht," shtoi ajo.

Ajo tha, se iranianët që jetonin në Shqipëri ishin në procesin e marrjes së statusit të refugjatit dhe kishin filluar ngadalë të integrohen në shoqëri.

Pasi BIRN kontaktoi ambasadën iraniane, një burim nga ambasada këmbënguli se qeveria iraniane nuk ka të bëjë fare me faqet e internetit.

"Ne bëjmë punën tonë këtu sipas funksioneve/rolin tonë diplomatik dhe marrëdhënies së mira me qeverinë shqiptare dhe nuk kemi asnjë lidhje me këto faqe, gazeta apo kanale YouTube", tha burimi.

MEK-u në Shqipëri duket se ka një mbështetje të fortë politike. Politikanët shqiptarë dhe deputetët nga mazhoranca qeverisëse dhe opozita morën pjesë në eventin e MEK-ut " Irani i lirë" në Paris në korrik 2016.

Megjithatë, më 14 janar, Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati bëri vizitën e parë zyrtare të një diplomati të lartë shqiptar në Teheran, ku takoi homologun e tij iranian dhe presidentin Hassan Rouhani.

Gjatë vizitës së tij, Shqipëria dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në lidhje me mbajtjen e bisedimeve politike të rregullta.

Opozitarët iranianë nuk u përmendën në deklaratën për shtyp të ministrisë së jashtme shqiptare që u publikua për diskutimet.

Por ambasadori i Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, tha se çështja e asaj që ai e quajti "kult terrorist", u diskutua gjatë vizitës së Bushatit.

Mohammadnia tha, se Irani është siguruar që anëtarët e MEK-ut nuk kanë leje të angazhohen me aktivitete politike, ndërsa jetojnë në Shqipëri, raportoi  faqja e Albanian Daily News.

"Prandaj, këta njerëz nuk lejohen të kërcënojnë sigurinë apo interesat e Iranit brenda apo jashtë Shqipërisë," shtoi Mohammadnia.

 

Share this article

Rreth Nesh

Quas mattis tenetur illo suscipit, eleifend praesentium impedit! Dictum aliquam potenti arcu? Vel nemo consectetuer veritatis delectus excepturi magni dui

 

Suspendisse at libero porttitor nisi aliquet vulputate vitae at velit. Aliquam eget arcu magna, vel congue dui. Aenean id turpis lectus. Duis eget consequat velit.nulla vel eros blandit placerat.