syri.net
Kryetari i PD Lulzim Basha dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko morën pjesë në Samitin për ‘Iranin e Lirë 2021’. Basha tha se PD është shprehur qartë kundër regjimit të Iranit. Ndërsa Majko nënvizoi se Irani refuzoi farsën në zgjedhjet presidenciale. Samiti 3 ditor po zhvillohet online me një pjesëmarrje të gjerë.
Nga SYRI TV
Samiti për Iranin e Liri 2021 po zhvillohet online me një pjesëmarrje të gjerë të iranianëve në 105 shtete, por edhe diplomatëve të vendas dhe të huaj. Nga Shqipëria morën pjesë në samit kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Basha tha se PD e ka shprehur qartë pozicionin e saj kundër regjimit të Iranit.
‘Partia Demokratike e Shqipërisë e ka shprehur qartë pozicionin e saj. Ne kemi një pozicion të fortë kundër tentativave të regjimit iranian për veprime të paligjshme e terroriste në tokën tonë, si dhe kundër përpjekjes së tij të strukturuar për eksportimin e fondamentalizmit në Shqipëri dhe në rajonin tonë. Ne mbështesim popullin iranian dhe qëllimin e tij për një Iran demokratik e jo-bërthamor. Ne mbështesim dëshirën e popullit iranian për ndryshim dhe e vlerësojmë zonjën Rajavi dhe përpjekjet e saj për t’i ofruar popullit të Iranit perspektivën e një vendi të lirë, laik dhe demokratik’, është shprehur kreu i PD-së Lulzim Basha gjatë fjalës së tij përshëndetëse.
Ndërsa Majko u shpreh se Irani refuzoi farsën në zgjedhjet presidenciale.
‘Populli iranian e bojkotoi farsën e zgjedhjeve presidenciale. Raisi akuzohet për krime kundër njerëzimit nga organizata ndërkombëtare të të drejtave njerëzore, dhe tani zgjidhet president Jam i lumtur që sot u qëndroj përkrah njerëzve që duan të jenë pjesë e të ardhmes së Iranit. Me Maryam Rajavi-n ka shpresë që Irani do të marrë vendin që meriton në botë’, deklaroi Majko.
Mike Pompeo, Sekretari amerikan i Shtetit deri në vitin 2021, tha se diktatura fetare është në pikën më të brishtë të saj që nga viti 1979, dhe perspektiva e saj për mbijetesë po vihet në dyshim haptazi nga zyrtarë të brendshëm të regjimit dhe nga njerëzit e pakënaqur e liridashësit.
Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit tha se instalimi si president i Ebrahim Raisi-t, njërit prej autorëve të masakrës së 1988-ës ndaj 30.000 të burgosurve politikë, ka shënuar disfatën dhe turpin më të madh në historinë e regjimit klerikal.
Sipas saj, vetëm frika e regjimit nga kryengritjet dhe disfata politike e liderit suprem mund ta shpjegojë ngritjen e Raisi-t, ekzekutuesit të masakrës së 1988-ës, në këtë post të lartë.