Hakerët iranianë ndërhynë në transmetimin televiziv në Emirate

Hakerë të mbështetur nga shteti iranian ndërprenë transmetimin televiziv në Emiratet e Bashkuara Arabe për të transmetuar një lajm të rremë në lidhje me luftën Izrael-Hamas, njoftoi kompania Microsoft.

Hakerët e drejtuar nga Garda Revolucionare e Iranit ndërhynë në platformat në internet në Emiratet e Bashkuara dhe transmetuan në dhjetor një emision lajmesh të prodhuar me inteligjencën artificiale. Spikeri i rremë i lajmeve tregoi foto të pavërtetuara që tha se tregonin palestinezë të plagosur dhe të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë.

“Ky shënon operacionin e parë të influencës së Iranit kur Microsoft-i ka pikasur se inteligjenca artificiale ka luajtur një rol kyç në mesazhin e dhënë dhe është një shembull i zgjerimit të shpejtë dhe domethënës të operacioneve iraniane, që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas”, thuhet në një mesazh të publikuar nga kompania Microsoft.

Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës nëpërmjet së cilës u kërkuan komentet e tyre.

Duke kaluar përtej Emirateve të Bashkuara Arabe, efektet e ndërhyrjes u ndjenë deri tek audiencat në Britani dhe Kanada, tha kompania Microsoft.

Këto incidente nënvizojnë përpjekjet më të gjera të Teheranit për të influencuar opinionin publik, tha kompania Microsoft. Me një kombinim sulmesh kibernetike dhe fushatash propagandistike.

Marrë nga: zeriamerikes

Exit mobile version