Marte, 14 Janar 2020 22:10

Ivan Sascha Sheehan: Protestat e Iranit, vrasja e Soleimani-t e çojnë vendin drejt KËSAJ

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Aktivistët brenda në Iran kanë bërë bujë në mediat ndërkombëtare në disa raste gjatë viteve të fundit. Mediat botërore kanë raportuar mbi protestat e fundit, të cilat nisën fundjavën e shkuar pas pohimit nga regjimi se ka rrëzuar një avion pasagjerësh mes tensioneve të rritura me Shtetet e Bashkuara. Por ajo që nuk thuhet në shumë raporte është fakti që këto protesta kanë marrë shpejt një ton anti-qeveritar, duke nënvizuar kështu përçarjet e forta midis popullit iranian dhe teokracisë që sundon vendin.

Në këtë mënyrë, protestat e fundit duhet të shihen si pjesë e një kornize më të gjerë. Demonstratat publike në Republikën Islamike rrallë mbeten të fokusuara vetëm tek çështjet specifike që i ndezin ato, pikërisht sepse iranianët e kuptojnë që thelbi i problemeve të tyre është regjimi që i qeveris ata.

 

Kjo ndodhi në nëntor kur iranianët dolën nëpër rrugë si përgjigje ndaj shpalljes nga Teherani se do t’i rriste së tepërmi çmimet e gazolinës. Kjo lëvizje kishte për qëllim t’i ndihmonte mullahët ta konsolidonin pushtetin e tyre duke e rritur ndërkohë vuajtjen ekonomike për iranianët e rëndomtë, por regjimi e kishte nënvlerësuar së tepërmi ashpërsinë e reagimit të publikut.

 

Protestat anti-regjim të nëntorit e tronditën regjimin deri në themele dhe e ndryshuan peizazhin politik brenda vendit. Protestat jo vetëm që e përfshinë shpejt gjithë vendin, por gjithashtu nxorën sllogane si “vdekje diktatorit,” duke mos lënë dyshim për etjen e publikut për ndryshim regjimi.

Autoritetet nisën menjëherë një nga operacionet shtypëse më të egra në vite, për një vend që është përkufizuar nga dhuna refleksive politike që nga koha e Revolucionit Iranian. Ndërkohë që njësitë e rezistencës të lëvizjes opozitare Mujahedin-e- Khalq (MEK) udhëhoqën të paktën 790 protesta individuale në 190 qytete, forcat e sigurisë dhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike hapën zjarr mbi njerëzit, duke shkaktuar një numër të llogaritur prej 1,500 të vrarësh. Zyrtarët e regjimit ende nuk kanë ofruar shifra të tjera për numrin e viktimave dhe as nuk kanë dhënë llogari për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.

Edhe sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme për ta shkatërruar besueshmërinë e qeverisë, përgjigjja e Teheranit ndaj tragjedisë së Ukranian Airlines pa dyshim që e bëri këtë. Për disa ditë me radhë pas rrëzimit të avionit më 8 janar, zyrtarët e lartë iranianë këmbëngulën që rrëzimi kishte ndodhur për shkak të problemeve teknike. Rouhani e pranoi fajin vetëm atëherë kur publiku mori prova të pakundërshtueshme për një sulm me raketë dhe kur mohimet e regjimit ishin bërë jo vetëm të rreme por edhe qartësisht absurde.

Rrëzimi i Fluturimit 752 të Ukraine Airlines thekson pandershmërinë e regjimit, faktin që ai refuzon të marrë përgjegjësinë edhe për vendimet e tij më skandaloze, si dhe mospërfilljen e tij për njerëzit e rëndomtë brenda territorit të Iranit – si për popullin e tij, ashtu edhe për shtetas të tjerë të botës.

Por natyra e pandërprerë e kryengritjes aktuale dhe shpejtësia me të cilën manifestimi i saj më i fundit është kthyer edhe një herë kundër qeverisë në tërësi, tregon se populli iranian është gati për ndryshim.

Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet t’i ngatërrojë kurrë ndjenjat e gjera anti-qeveritare me diçka me fokus më të ngushtë, dhe as të arrijë në përfundimin se pakënaqësia në rrugët iraniane është zhdukur thjesht sepse forcat shtypëse i kanë shuar trazirat.

Maryam Rajavi, Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, kishte parashikuar se ndjenjat anti-qeveritare do të dilnin sërish  në sipërfaqe pas një kryengritjeje të mëparshme mbarëkombëtare në fund të 2017-ës dhe në fillim të 2018-ës.

Në fakt, ajo parashikoi se protestat do të shkaktonin një “vit plot kryengritje,” ku demonstratat lokale do ta mbanin gjallë mesazhin e ndryshimit të regjimit deri në një kohë kur një tjetër incident të shërbente si shkëndijë që populli të organizohej në shkallë kombëtare sërish.

Rritja e madhe e çmimit të gazolinës ndezi një kryengritje masive në mbarë vendin në nëntor, dhe sulmi i para disa ditëve me raketë kundër qytetarëve të pambrojtur vetëm sa i ka përkeqësuar problemet e Teheranit. Tani regjimi po përballet me një presion më të madh si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë kufijve, se çdo presion tjetër që nga themelimi i tij në vitin 1979.

Ka disa pika kyçe që duhet të mbahen mend lidhur me rifillimin e protestave anti-regjim nga mijëra iranianë në Teheran e qytete të tjera në 9 provinca që nga e shtuna:

  • Njerëzit po thërrasin me sllogane si ‘Kryekomandant i Forcave të Armatosura, jep dorëheqjen,’ ose ‘IRGC kryen krime, lideri suprem e mbështet,’ duke ndërmarrë këtë herë një rrezik të madh e duke e sfiduar direkt liderin suprem, Ali Khamenei.
  • Protestuesit po e fajësojnë dhe sfidojnë hapur IRGC-në, që ka qenë baza e pushtetit të regjimit për dekada të tëra. Kjo reflekton një fazë të re të rritjes së mospajtimit në Iran.
  • Ditët e fundit, njerëzit po thërrasin ‘Jo tiranit, qoftë ai Shahu, apo lideri suprem,’ duke ndarë të shkuarën nga e tashmja e me sytë drejt një të ardhmeje demokratike.
  • Muaj të tërë protestash kanë shërbyer për ta minuar propagandën e regjimit pas vrasjes së Qassem Soleimani-t. Në Teheran e qytete të tjera, protestuesit i kanë shqyer menjëherë posterat e Soleimani-t – në shenjë solidariteti me masën mbrojtëse të SHBA. Gjithashtu, ata thërrisnin “Soleimani është vrasës, i tillë është edhe lideri i tij (Ali Khamenei).”

Është e qartë që dallga është kthyer kundër mullahëve dhe se regjimi iranian po përballet me kriza që vijnë nga të gjitha drejtimet.

Zyrtarët e lartë amerikanë do të bënin mirë ta pranonin se sunduesit teokratikë të Iranit nuk e përfaqësojnë popullin iranian dhe ta njihnin zyrtarisht dëshirën e atij populli për ta rrëzuar diktaturën fetare.

Prof. Ivan Sascha Sheehan është Drejtor Ekzekutiv i Shkollës së Punëve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimore. Opinionet e shprehura janë të tijat. Ndiqeni në Twitter @ProfSheehan.

 Publikuar në: Fox News

 

Rreth Nesh

Quas mattis tenetur illo suscipit, eleifend praesentium impedit! Dictum aliquam potenti arcu? Vel nemo consectetuer veritatis delectus excepturi magni dui

 

Suspendisse at libero porttitor nisi aliquet vulputate vitae at velit. Aliquam eget arcu magna, vel congue dui. Aenean id turpis lectus. Duis eget consequat velit.nulla vel eros blandit placerat.