Premte, 12 Qershor 2020 10:45

Lajmet e Rreme të Regjimit Iranian në Veprim e Sipër

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Joseph Goebbels, Ministri i Propagandës i Adolf Hitlerit, pati thënë: “Nëse thua një gënjeshtër aq të madhe sa duhet dhe e përsërit atë aq shpesh sa duhet, e gjithë bota do ta besojë.”

Regjimi iranian e ka implementuar plotësisht këshillën e Goebbels. Disa nga gënjeshtrat që regjimi iranian ka thënë gjatë 41 viteve të fundit as nuk do t’i kishin shkuar në mendje Goebbels-it. Përveç shtypjes, torturës, ekzekutimit, masakrave dhe eksportit të terrorizmit, regjimi ka përparuar edhe në demonizim e prodhim të lajmeve të rreme.

Regjimi iranian, për të justifikuar krimet e tij dhe për të ndjekur fushatën e demonizimit kundër opozitës së tij kryesore, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), ia ka kushtuar një pjesë të madhe të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) kësaj pune. Regjimi ka shpërdoruar biliona dollarë nga pasuria kombëtare e popullit iranian për shkrimin, prodhimin dhe publikimin e mijëra librave, filmave e dokumentave të mbushur me lajme të rreme kundër MEK. Këta libra e filma kanë për qëllim përhapjen e gënjeshtrave për MEK dhe demonizimin e anëtarëve të kësaj organizate.

Sikur të shohësh vetëm njërën nga këto gënjeshtra e fabrikime, që MOIS e ka krijuar dhe ua ka shpërndarë agjencive shtetërore të lajmeve për publikim, e kupton vërtetësinë e këtij fakti.

Marjan, një këngëtare e famshme dhe e mirënjohur iraniane, e cila i ishte bashkuar MEK-ut dhe kishte vazhduar veprimtaritë e saj kundër regjimit iranian së bashku me Rezistencën Iraniane jashtë vendit, ka humbur jetën të dielën në një spital në Los Angeles. Vdekja e saj e ka trishtuar të gjithë popullin iranian, duke përfshirë artistë e sportistë brenda Iranit, të cilët kanë ndarë mesazhe ngushëllimi në mediat sociale.

Regjimi i mullahëve, i xhindosur nga këto veprime, ka reaguar në mediat e tij duke pyetur pse ka njerëz që vajtojnë për vdekjen e këngëtares së MEK.

Kur mesazhet e ngushëllimit u shtuan, dhe kur iu bashkuan kësaj vale edhe disa sportistë e artistë brenda Iranit, MOIS nisi një fushatë të qartë mashtruese për t’i detyruar këta artistë të pozicionohen kundër MEK.

Të flasësh për MEK është krim në regjimin e mullahëve, e megjithatë MOIS ka publikuar një gazetë të rreme, të ngjashme me gazetën e MEK, që njihet si “Mojahed,” dhe në këtë gazetë të rreme ka shkruar për vdekjen e Marjan-it dhe ka publikuar aty foto të 16 sportistëve e artistëve, që jetojnë brenda Iranit, me ngushëllimet e tyre për vdekjen e Marjan-it.

Më pas MOIS e ka shpërndarë këtë gazetë të rreme në mediat e saj, në mënyrë që ato të pretendojnë sikur MEK i ka publikuar fotot e këtyre artistëve në gazetën e saj, në përpjekje për të treguar që këta artistë janë mbështetës të MEK.

Qëllimi i regjimit me publikimin e kësaj gazete të rreme është t’i bëjë presion këtyre artistëve që të pozicionohen kundër MEK. Mediat e regjimit, me publikimin e këtij lajmi të rremë, i kërcënuan artistët që kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e Marjan-it, duke shkruar: “Të gjithë e dinë që MEK është grupimi më famëkeq terrorist në popullin iranian, dhe ata që e mbështesin konsiderohen njësoj nga populli.”

Me fjalë të tjera, artistët dhe sportistët që thjeshtë kanë ndarë një mesazh ngushëllimi kërcënohen se do të konsiderohen si “terroristë”. MOIS e ka krijuar këtë gazetë të rreme, ndërkohë që MEK ka vite që nuk publikon më gazetë fizike, dhe të gjitha lajmet e opinionet e tyre janë online.

 

Lajmi i fundit