Djele, 02 Gusht 2020 07:59

Mullahët e dëshpëruar përdorin familjarët tanë dhe agjentë të huaj për të vonuar përmbysjen e vet

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Nga Gholamali Narimi

 

Nga 17 deri më 20 korrik, Rezistenca Iraniane zhvilloi një konferencë historike online për të nënvizuar kërkesën popullore për themelimin e një sistemi demokratik në vend të teokracisë aktuale në Iran. Mijëra liderë politikë, parlamentarë, dhe personalitete fetare e kulturore iu bashkuan konferencës nga mbarë bota.

 

Pjesëmarrësit në këtë konferencë ishin nga 30,000 lokacione të shpërndara në 100 shtete. Anëtarët e opozitës kryesore iraniane, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit, ose MEK, të grumbulluar në komunitetin e tyre në Shqipëri, të njohur si Ashraf-3, u lidhën gjithashtu me konferencën.

Shumë folës e përshkruan këtë tubim të jashtëzakonshëm si shenjë që fushata denigruese e regjimit kundër MEK-ut është rrugës për në disfatë. Por shumë prej tyre theksuan gjithashtu se kjo fushatë është intensifikuar kohët e fundit, teksa autoritetet iraniane kanë reaguar me panik ndaj shenjave të përmbysjes së ardhshme të tyre.

 

Mes shenjave të këtij intensifikimi janë veprimet e Olsi Jazexhiut. Në një video të postuar në YouTube më 10 korrik, Jazexhi, i prezantuar si shqiptar, intervistoi vëllain tim dhe gruan e tij në qytetin Mahshahr të provincës Khuzestan të Iranit. Jazexhi komunikoi gënjeshtrat e veta për banorët e Ashraf-3, më pas i nxiti të intervistuarit që të fyenin e të bënin akuza kriminale kundër meje dhe MEK-ut, organizatë në të cilën unë bëj pjesë me krenari.

                                                                                                            

Vendi i kësaj interviste nuk ishte i rastësishëm. Khuzestan ishte epiqendra e kryengritjes së nëntorit 2019 kundër regjimit iranian. Kjo kryengritje mbarëkombëtare e përmbyti Iranin dhe e çoi regjimin në prag të përmbysjes. Teherani më vonë e pranoi se MEK kishte luajtur rolin kyç në atë kryengritje si dhe në një kryengritje të mëparshme që pati filluar në dhjetor 2017.

 

Forcat e armatosura iraniane e shtypën brutalisht kryengritjen e nëntorit duke shtënë mbi turmat e duke vrarë 1,500 protestues paqësorë në mbarë vendin brenda vetëm tre ditësh. Një nga vrasjet masive më të tmerrshme ndodhi në qytetin Mahshahr, në të cilin bashkatdhetarët tanë të pafajshëm arabë u vranë me mitralozë të rëndë. Lidhur me shtypjen kriminale të regjimit, Neë York Times shkroi se anëtarët e Gardës Revolucionare rrethuan, qëlluan dhe vranë 40 deri në 100 demonstrues— kryesisht djem të rinj të paarmatosur — në një kënetë ku ata ishin strehuar. Reporterët vendas kanë treguar se gjatë tre ditësh trazira, numri i vdekjeve në qytet arriti në 130.

 

Pas kësaj shtypjeje brutale, më 18 janar 2020, qeveria amerikane sanksionoi komandantin kriminel të degës në Khuzestan të IRGC-së, Hassan Shahvarpour, i cili vrau me gjakftohtësi 148 njerëz në Mahshahr. 

 

Që atëherë, Lideri Suprem i Iranit Ali Khamenei ka shprehur vazhdimisht frikë dhe shqetësim të madh, duke paralajmëruar herë pas here për mundësinë e një kryengritjeje tjetër. Më 8 korrik, Ministri i Shëndetësisë Saeed Namaki shprehu një frikë të ngjashme, duke thënë: "Institutet e sigurisë raportojnë se njerëzit po shkojnë drejt kaosit për shkak të varfërisë. Kjo është një çështje serioze." Ai i kërkoi qeverisë, forcave ushtarake dhe të sigurisë, si dhe policisë që të përgatiten për t’iu kundërvënë një kryengritjeje tjetër. Një gjë e tillë do të sillte sigurisht një shtypje tjetër brutale, por edhe një fushatë të gjerë denigruese kundër MEK-ut, që është e vetmja alternativë e vlefshme ndaj regjimit. 

 

Një aspekt i kësaj fushate në Shqipëri përfshin mobilizimin e agjentëve vendas si Jazexhi për t’u bërë presion familjarëve të anëtarëve të MEK, që shpesh merren peng nga regjimi iranian. Në këtë mënyrë, regjimi përpiqet dëshpërimisht të promovojë idenë se nëse pushteti i tij zëvendësohet me atë të MEK-ut, qeveria rezultuese do të jetë shumë më e keqe, dhe se mënyra më e mirë e të vepruarit për komunitetin ndërkombëtar është të ruajë status quo-në.

 

Justifikimi për intervistën e Jazexhiut ishte se MEK nuk lejon vizita apo kontakte të tjera mes anëtarëve të vet dhe familjeve të tyre. Por kjo është një tjetër gënjeshtër. Pak muaj më parë, unë pata një bisedë telefonike me familjen time, por më vonë mësova se ajo telefonatë kishte qenë nën survejim nga agjentët iranianë të inteligjencës.

 

Si një iranian që ka qenë i përfshirë në një betejë të fortë kundër diktaturës fetare që sundon Iranin, dhe që është burgosur e torturuar për faktin që ka mbështetur MEK-un, unë i njoh mirë taktikat e Teheranit. Pas torturimit, të burgosurit i detyrojnë rregullisht të marrin pjesë në intervista televizive dhe të marrin anën e regjimit duke folur kundër opozitës. Gjatë burgosjes sime të dytë, unë vendosa ta refuzoja me çdo kusht një intervistë të tillë, dhe në fund arrita të arratisesha nga burgu i drejtuar nga IRGC në qytetin Ramhurmoz. Nga ana tjetër, vëllai im dhe gruaja e tij u dorëzuan dhe e bënë intervistën.

                                                                                                                                   

Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësi për Iranin, dy OJQ që mbrojnë të drejtat njerëzore, kanë publikuar kohët e fundit një raport që tregon se si rrëfimet e detyruara, gjyqet false, dhe programet shpifëse janë përdorur gjatë 40 viteve që nga themelimi i regjimit si mjete për shtypjen e individëve dhe shoqërisë civile, si brenda ashtu edhe jasthë Iranit. Raporti citon transmetime, nga regjimi, të rrëfimeve të rreme të bëra nga 355 individë dhe përmbajtje shpifëse për 505 të tjerë.

 

Por kjo fushatë denigruese nuk mund ta errësojë faktin që ditët e mullahëve janë të numëruara, dhe nuk është e mundur ta eklipsojë informacionin pozitiv që u nda mes pjesëmarrësve në konferencën online të korrikut. Roli i Olsi Jazexhiut në makinerinë e propagandës të Teheranit nuk është vetëm një akt kriminal, por edhe poshtërues për njerëzimin sido që ta shohësh, dhe ai nuk do ta shpëtojë regjimin despotik e mesjetar që është përgjegjës për 120,000 ekzekutime të njerëzve të pafajshëm në Iran.

 

Intervistat shpifëse nuk mund ta parandalojnë përmbysjen e regjimit. Në fund të fundit, ato vetëm sa do ta përforcojnë vetëdijen e njerëzve për strategjitë e tij të paturpshme për ta ruajtur pushtetin e vet, dhe në këtë mënyrë do ta ndezin edhe më fort kundërshtimin e popullit ndaj regjimit, së bashku me mbështetjen ndërkombëtare për Rezistencën demokratike. Edhe vetë Olsi Jazexhi e ka pranuar se pas konferencës së madhe virtuale të MEK, populli dhe qeveria shqiptare po e mbështesin MEK-un më shumë se kurrë më parë.

Lajmi i fundit