Enjte, 30 Janar 2020 15:08

Monika Kryemadhi, takim me Presidenten e Këshillit të Rezistencës së Iranit

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Monika Kryemadhi, takim me Presidenten e Këshillit të Rezistencës së Iranit

 

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe drejtues të LSI vizituan të mërkurën kampin e muxhahedinëve në Shqipëri, “Ashraf-3”, ku u takuan me Maryam Rajavi, Presidenten e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Në këtë vizitë, Kryemadhi shoqërohej nga Petrit Vasili, zëvendës kryetar dhe Eriol Braimllari, shefi i kabinetit të kryetares së LSI.

Përfaqësuesit e LSI vizituan Muzeun e 120 Viteve të Luftës për Liri në Iran në Ashraf-3.

 

Zyra e shtypit e muxhahedinëve në kampin “Ashraf 3”, njofton se delegacioni i LSI  u takua gjithashtu me mijëra anëtarë të Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK) në Ashraf-3, të cilin Kryemadhi e përshkroi si “një qytet i bukur.”

Pas takimit kryetarja e LSI-së, Kryemadhi tha se kishte mbetur thellësisht e prekur gjatë vizitës në muze. “Ajo që pashë ishte tronditëse. Por u ndjeva e privilegjuar që m’u dha mundësia ta vizitoja muzeun dhe ndjeva forcën e grave dhe burrave të lëvizjes suaj në mënyrën se si ata kanë luftuar për demokraci në Iran. Mësova shumë nga kjo vizitë,” tha Kryemadhi.

Duke vënë në dukje se “Shqipëria dhe populli shqiptar njihen për mikpritjen ndaj njerëzve të larguar nga shtëpitë e tyre,” Kryetarja Kryemadhi shtoi, “Në muzeun tuaj dhe në librin e martirëve, gjeta forcën dhe motivimin e Rezistencës Iraniane për të luftuar për liri e demokraci. Kjo është e njëjta forcë që ia bëri të mundur popullit shqiptar të fitonte lirinë dhe demokracinë.” Ajo tha “Tani e kuptoj pse regjimi në Iran jua ka kaq shumë frikën, sepse ju keni mentalitetin e duhur për të sjellë demokraci në vendin tuaj, gjë që pasqyrohet në Planin tuaj me Dhjetë Pika.”

Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit Rajavi duke shprehur mirënjohje për mikpritjen e popullit shqiptar, tha se “ne jemi të lumtur që gëzojmë mbështetje shumë-partiake në Shqipëri. Sot, populli iranian gjendet në një çast vendimtar të historisë së tij. Kryengritjet në nëntor 2019 dhe janar 2020 treguan sërish se populli i Iranit, sidomos rinia dhe Njësitë e Rezistencës, është i vendosur t’i japë fund diktaturës fetare me të gjitha grupimet e saj. Për të fituar lirinë, ata janë të gatshëm të paguajnë çfarëdo çmimi. Nuk kam dyshim që Irani do të çlirohet shumë shpejt”.
Rajavi shtoi se dëbimi i ambasadorit të regjimit iranian dhe tre të ashtu-quajturve diplomatë të tjerë nga Shqipëria pasqyron vigjilencën dhe vendosmërinë e Shqipërisë, dhe është shenjë e përkushtimit të këtij vendi ndaj vlerave humanitare. Gjithashtu, kjo e ka bërë plotësisht të qartë faktin që diktatura fetare dhe terroriste që sundon kombin tonë nuk mund ta ndryshojë as natyrën dhe as sjelljen e saj.
Presidentja e zgjedhur e NCRI-së tha se veprimet e Shqipërisë ndaj regjimit iranian duhet të shërbejnë si shembull për të gjitha vendet, sidomos në Europë. Politika e paqësimit të regjimit, e cila ka përgatitur terrenin për terrorizëm, duhet të braktiset. Është koha të ndërmerret një politikë deçizive ndaj kumbarit të terrorizmit dhe fondamentalizmit. Çdo investim në këtë regjim në prag të vdekjes është i dënuar të dështojë.

Lajmi i fundit