Merkure, 18 Mars 2020 07:19

Fushata e keqinformimit e regjimit iranian lidhur me koronavirusin

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Njerëzit që ecin në Pazarin e Madh të Teheranit mbajnë maska mbrojtëse për të mos u infektuar me COVID-19. (Reuters)

Disa njerëz besojnë se Irani është bërë qendra e përhapjes së koronavirusit, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në mbarë botën. Po të shohim shifrat zyrtare, Irani vjen i treti, pas Kinës dhe Italisë. Ministria e Shëndetit në Iran shpalli të dielën se 724 njerëz kanë vdekur si rezultat i përhapjes së COVID-19 në vend, duke shtuar se pothuajse 14,000 njerëz janë të infektuar. Por nuk duhet t’i marrim seriozisht shifrat zyrtare të Iranit dhe nuk duhet të gënjehemi nga keqinformimi që regjimi iranian po i bën publikut.

Raportet e besueshme nga brenda Iranit paraqesin një pamje ndryshe të asaj që po kalon në të vërtetë vendi. Për shembull, sipas informacioneve nga një rrjet mbarëkombëtar inteligjence, opozita iraniane Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) ka arritur në përfundimin se numri i njerëzve që kanë vdekur në Iran për shkak të virusit e ka tjekaluar tashmë shifrën 3,000. Presidentja e zgjedhur e këtij grupi, Maryam Rajavi, ka thënë: “Me urdhër të Liderit Suprem Ali Khamenei, regjimi ia ka mbajtur të fshehtë publikut përhapjen e koronavirusit dhe nuk ka marrë masa parandaluese në kohë, sepse Khamenei nuk donte që kjo gjë të ndikonte tek pjesëmarrja e popullit në ceremoninë e përvjetorit të revolucionit të 1979-ës më 11 shkurt dhe në maskaradën e zgjedhjeve parlamentare.”

Interesant është fakti që vetë zyrtarët e regjimit po bien gjithnjë e më shumë në kontradiktë me njëri-tjetrin, gjë që vërteton gjithashtu gënjeshtrat e regjimit dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’ia fshehur publikut informacionin e vërtetë. Për shembull, Mohammed Hossein Ghorbani, përfaqësuesi i plotfuqishëm i ministrit të shëndetit në provincën Gilan, raportoi javën e shkuar se: “Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Gilan është 200; me 800-900 të infektuar.” Ky është numri i vdekjeve për vetëm një provincë.

Gjithashtu, Mostafa Faghihi, pronari i gazetës Entekhab, e cila është e lidhur me kampin politik konservator të regjimit, deklaroi javën e shkuar se numri i vërtetë i të vdekurve në mbarë vendin është më shumë se 2,000. Ai u ankua në një postim në Twitter: “Z. (Ministër i Shëndetit Saeed) Namaki, nuk po i publikoni shifrat e vërteta të të vdekurve nga koronavirusi? Mirë. Do ta bëj unë detyrën time në vendin tuaj. Të dashur qytetarë iranianë. Numri i të vdekurve në vend që besohet se kanë vdekur nga koronavirusi është afërsisht 2,000 (10 herë më shumë sesa shifrat zyrtare). Vetëm brenda ditës së djeshme vdiqën mbi 130 njerëz në Teheran e në Gilan. Z. Namaki, mos u hidh më shumë kripë (duke iu referuar emrit të Namaki-t, që do të thotë tregtar kripe në Farsi) plagëve të publikut.”

Statistikat e Faghihi-t ishin të ngjashme me ato të NCRI-së. Megjithatë, pak orë pas publikimit të atij postimi, ai e fshiu atë, me siguri për shkak të presionit që i kanë bërë autoritetet e regjimit. Faghihi më pas bëri një postim tjetër ku thoshte se kishte bërë një gabim, dhe se kishte dashur të thoshte se mbi 2,000 njerëz kanë vdekur nga gripi dhe jo nga koronavirusi.

Deri tani janë infektuar njerëz në 139 qytete të 31 provincave, sipas NCRI-së. Vdekjet më të shumta duket se janë në Qom, Gilan, Isfahan, Razavi Khorasan, Golestan, Mazandaran, Fars, Khuzestan, Kurdistan, Sistan e Baluchestan, dhe Zanjan.

Disa nga autoritetet e shëndetit në Iran, që i kishin bërë thirrje më përpara regjimit ta karantinonte provincën e Qom, tani po bëjnë thirrje që qeveria të izolojë provinca të tjera para se të jetë tepër vonë. Drejtori i një spitali në distriktin Yaftabad të Teheranit shprehu irritimin e tij duke thënë: “Po ta kishim kufizuar udhëtimin e njerëzve në Qom, duke qenë se epiqendra e sëmundjes është në Qom, nuk do të kishte patur përhapje kaq të gjerë. Nëse shikon hartën, e kupton që është përhapur tek provincat fqinje nga Qom… Në fakt, gabimi ynë ishte se, kur e zbuluam që qyteti Qom ishte infektuar, duhej t’i kishim karantinuar njerëzit atje dhe ta kishim parandaluar përhapjen. Po ta kishim bërë këtë, virusi nuk do të ishte përhapur.”

Disa nga autoritetet e shëndetit në Iran po bëjnë thirrje që qeveria t’i izolojë provincat e tjera para se të jetë tepër vonë.

Dr. Majid Rafizadeh

Fatkeqësisht, Këshilli Suprem iranian i Sigurisë Kombëtare, i cili kryesohet nga Presidenti i ashtu-quajtur i moderuar, Hassan Rouhani, vazhdon t’i refuzojë thirrje të tilla dhe ngul këmbë që kriza nuk është edhe aq serioze. Rouhani, i cili po shfaqet gjithnjë e më pak në publik apo në media, ka refuzuar ta pranojë seriozitetin e situatës, duke thënë se “të gjithë do të duhet ta rifillojnë punën dhe prodhimin duke nisur nga java tjetër” sepse “jeta do t’i kthehet normalitetit.”

Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë regjimin iranian për keq-raportimin e shifrave, keqinformimin e publikut dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit në Iran.

  • Dr. Majid Rafizadeh është një shkencëtar politik iraniano-amerikan. Ai është ekspert i mirënjohur në lidhje me Iranin dhe politikën e jashtme të SHBA, biznesmen dhe president i Këshillit Ndërkombëtar Amerikan. Twitter: @Dr_Rafizadeh

Source: Arab News

 

Lajmi i fundit