Shtune, 04 Prill 2020 17:23

Fox News: Grupi i rezistencës iraniane, duke cituar dokumente, thotë se regjimi ka qenë në dijeni të rasteve me koronavirus që në janar

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Publikuar në: Fox News

Regjimi iranian ka qenë në dijeni të rasteve të infektimeve me koronavirus në Teheran që në janar, thotë një grup i rezistencës iraniane – që do të thotë shumë më herët se ç’pretendojnë zyrtarët e qeverisë.

Qeveria iraniane ka thënë se virusi e ka prekur vendin për herë të parë më 19 shkurt. Gjatë javëve të mëpasshme, virusi bëri kërdinë në vend, duke infektuar edhe një numër ligjvënësish të lartë. Kjo gjë ka bërë që ndërkombëtarët t’i bëjnë thirrje SHBA-së që t’i japë fund fushatës së “presionit maksimal” mbi regjimin, fushatë ku SHBA rifilloi sanksionet pas tërheqjes nga pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin.

Por Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), i cili përfshin disa grupe të rezistencës iraniane që i kundërvihen regjimit, ka publikuar këtë javë dokumente të cilat, sipas tij, tregojnë se Irani ka patur disa raste infektimesh në fund të janarit, disa javë më herët se ç’deklarojnë autoritetet.

Këto dokumente përmbajnë raporte misionesh nga Organizata Kombëtare e Emergjencave e qeverisë, që mbajnë emblemën e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe që flasin për disa raste të dyshuara të koronavirusit – të gjitha nga Ambasada Kineze në Teheran. Raportet vënë në dukje se këto raste shfaqnin simptoma të koronavirusit, dhe se edhe kolegët e tyre kishin simptoma.

Një nga këto dokumente, sipas përkthimit të NCRI-së, flet për një grua 37-vjeçare me shenja kolle e gripi. Ky dokument është i datës 28 janar.

“Ajo thotë se punon në Ambasadën Kineze (në Teheran), dhe kolegët e saj kanë patur simptoma të Koronavirusit. Ajo është e shtruar në spital. Shenjat jetësore janë kontrolluar. Testimi neurologjik është normal. Janë marrë masat fillestare dhe ajo është transferuar në qendrën mjekësore,” thotë dokumenti.

NCRI e vë këtë informacion në kontrast me pretendimet e zyrtarëve iranianë në fillim të shkurtit se nuk kishte raste koronavirusi në vend. Ata thonë gjithashtu se ky informacion është mbajtur i fshehtë në mënyrë që të sigurohej pjesëmarrja në zgjedhjet e shkurtit – zgjedhje të cilat grupet e rezistencës i kanë bërë thirrje iranianëve t’i bojkotojnë.

“Këto dokumente tregojnë se, në kundërshtim me gënjeshtrat dhe fshehjen e fakteve nga regjimi, zyrtarët, duke përfshirë [Liderin Suprem] Ali Khamenei dhe presidentin Hassan Rouhani, e kanë ditur për përhapjen e virusit në Iran të paktën tre javë para se ta bënin publike,” tha në një deklaratë Mohammad Mohaddessin, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI-së. “Por për të siguruar pjesëmarrjen e njerëzve në përvjetorin e marrjes së pushtetit prej tyre më 11 shkurt dhe në zgjedhjet e rreme parlamentare më 21 shkurt, ata i fshehën faktet.”

“Kjo e bën krejtësisht të qartë që siguria, shëndeti dhe jeta e popullit iranian nuk kanë asnjë vlerë për fashizmin fetar që sundon Iranin. E vetmja gjë për të cilën duan t’ia dinë mullahët është ruajtja e pushtetit të tyre të korruptuar e kriminal,” tha ai.

 

Edhe Departamenti i Shtetit ka shprehur skepticizëm lidhur me çfarë thonë autoritetet iraniane. Në një fletë faktesh, agjencia thotë se Zëvendës Ministri i Shëndetësisë Ali-Reza Raisi u ka thënë reporterëve më 10 shkurt: “Deklaroj se nuk ka raste koronavirusi në vend dhe qytetarët tanë duhet të ndjekin vetëm lajmet e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me koronavirusin.” Por agjencia thotë se një grua 63-vjeçare vdiq nga virusi po atë ditë.

“Dua gjithashtu të sjell në vëmendje fushatën keqinformuese të regjimit iranian lidhur me origjinën e virusit të Wuhan," tha më 17 mars Sekretari Mike Pompeo. "Në vend që të fokusoheshin tek nevojat e popullit iranian dhe t’i pranonin ofertat e sinqerta të mbështetjes, zyrtarët e lartë iranianë gënjyen për javë të tëra lidhur me shpërthimin e virusit të Wuhan.”

Këto dokumente ka mundësi që të shërbejnë për ta rritur presionin mbi qeverinë iraniane, e cila është kritikuar rëndë për mënyrën se si e ka menaxhuar krizën e koronavirusit. Presidenti iranian Hassan Rouhani ka reaguar ndaj këtyre kritikave duke thënë se autoritetet duhet t’i peshojnë përpjekjet për karantinim përkundrejt vështirësive ekonomike të Iranit.

“Shëndeti është parim për ne, por prodhimi dhe siguria e shoqërisë është gjithashtu parim për ne," tha Rouhani në një mbledhje të Kabinetit. “Duhet t’i krahasojmë këto parime në mënyrë që të arrijmë në një vendim përfundimtar."

Televizioni shtetëror të dielën raportoi 123 raste të reja vdekjesh, duke e çuar shifrën totale të Iranit në 2,640, mes 38,309 rasteve të konfirmuara. NCRI thotë se beson që numri i vdekjeve është mbi 15,000.

Irani nuk është vendi i vetëm që dyshohet se e ka fshehur dijeninë e tij rreth virusit në ditët e para të krizës. Administrata Trump e ka fajësuar vazhdimisht qeverinë kineze për fshehtësi dhe se nuk i ka bërë publike ato që ka ditur rreth virusit – që u kthye shpejt në një pandemi botërore brenda pak muajsh.

Të mërkurën, Presidenti Trump tha se Irani po planifikon një "sulm tinëzar" ndaj trupave apo "aseteve" amerikane në Irak, dhe paralajmëroi se ai vend do të paguajë një "çmim të rëndë" nëse ndodh kjo gjë.

Lajmi i fundit