Përfaqësuesi special i ShBA-së për Iranin, Brian Hook ka kërcënuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së me zbatimin e mekanizmit të sanksioneve, pjesë e marrëveshjes bërthamore (2015) në të rast se nuk do të rinovohet embargoja ndërkombëtare e armëve kundër Iranit, që normalisht përfundon në tetor.
Në artikullin e tij për “Wall Street Journal” Hook thotë se sipas marrëveshjes bërthamore të rënë dakord në vitin 2015 embargoja e armëve, që zbatohet për 13 vite nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, do të përfundojë në tetor dhe pretendohet se përfundimi i embargos do t’i siguronte mundësi Iranit, i akuzuar si "një ndër shtetet më terroriste në botë", të importojë dhe eksportojë avionë luftarakë, anije luftarake, nëndetëse dhe raketa balistike.
"ShBA do të kërkojë mbështetje për ta zgjatur embargon e armëve dhe do të ushtrojë presion përmes diplomacisë. Ne kemi përgatitur një projektrezolutë dhe shpresojmë që Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta aprovojë atë. Me votat e tyre “Po”, Rusia me Kinën mund të kenë më shumë përfitime nga stabiliteti në Lindjen e Mesme në vend që t'i shesin armë Iranit për luftëra sektare. Nëse diplomacia amerikane parandalohet nga një veto, ShBA-ja do të rezervojë të drejtën e saj për ta rinovuar këtë embargo me mënyra të tjera”,- nënvizon Hook në shkrimin e tij.
Pasi rikujton se rezoluta numër 2231 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka hequr shumë sanksione të OKB-së kundër Iranit, por gjithashtu ka krijuar një mekanizëm ligjor për përsëritjen e sanksioneve (snapback), diplomati amerikan thotë se mekanizmi i rivendosjes së sanksioneve mund të zbatohet nëse Irani e shkel marrëveshjen brenda një dekade dhe për ta bërë këtë nuk ka nevojë për Këshillin e Sigurimit të OKB-së.