Hene, 05 Prill 2021 12:00

Nëse nuk ka një ndërhyrje të madhe, shkeljet e të drejtave të njeriut nga Irani mund të intensifikohen këtë vit

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Irani nën sundimin e mullahëve e ka ruajtur vazhdimisht statusin e tij si vendi me numrin më të madh të ekzekutimeve per capita në botë. Asnjë vend tjetër përveç Kinës, e cila ka një popullsi prej mbi një bilion, nuk e kalon numrin e vrasjeve të sanksionuara në mënyrë gjyqësore çdo vit në Iran. Në 2020-ën, Irani u bë gjithashtu një prej pak vendeve të vetme që e ruajtën ritmin e mëparshëm të ekzekutimeve edhe në mes të pandemisë së koronavirusit.
Sipas një raporti të kohëve të fundit nga Monitori i të Drejtave Njerëzore në Iran, numri total i ekzekutimeve të kryera në Iran vitin e shkuar ka qenë të paktën 267. Kjo përputhet me shifrat e regjistruara në 2018-ën dhe 2019-ën, të cilat ishin 273 dhe 280, përkatësisht. Gjithsesi, siç vë në dukje raporti i Iran HRM, totalet e secilit vit janë thjesht llogaritje të përafërta, pasi gjyqësia iraniane shpall zyrtarisht vetëm një pjesë të dënimeve me vdekje që implementon.
Në 2020-ën, kjo pjesë ishte rreth një e treta e totalit, ose 91. Pjesa tjetër njihet nga bota jashtë burgjeve famëkeqe të Iranit vetëm si rezultat i përpjekjeve të aktivistëve të të drejtave njerëzore dhe të popullsive të këtyre burgjeve, sidomos të pavijoneve politike të tyre. Ka edhe ekzekutime të tjera që nuk raportohen apo të paktën nuk konfirmohen nga më shumë se një burim i pavarur. Si rrjedhim, numri i vërtetë është me shumë mundësi më i lartë sesa ai që raportohet ndërkombëtarisht në një vit të caktuar, edhe po të mos llogarisim fare incidentet që përbëjnë ekzekutime jo zyrtare përmes abuzimit dhe privimit nga aksesi në kujdes mjekësor.

Natyrisht, ky problem i fundit u bë edhe më i rëndësishëm gjatë vitit të shkuar, pasi bëri që burgjet në Iran dhe disa vende të tjera të shndërroheshin në vatra të nxehta për përhapjen e Covid-19. Në rastin e Iranit, qeveria bëri bujë duke shpallur se do të lironte dhjetëra mijëra kundërvajtës jo të dhunshëm, por në fakt liroi vetëm pak të burgosur dhe të burgosurit politikë u përjashtuan kategorikisht nga leja për liridalje.

Kjo nuk ishte aspak e habitshme për personat që e njohin sistemin iranian të burgjeve apo prirjen e regjimit klerikal për dhunim të të drejtave njerëzore. Në raportet e publikuara gjatë javëve të fundit, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit ka sjellë në vëmendje gjendjen e rëndë të disa të burgosurve individualë si Saeid Sangar, të cilit nuk i është dhënë asnjë ditë e vetme leje për më shumë se 20 vjet, dhe Fatemeh Mosanna, e cila është transferuar në spital gjatë krizave veçanërisht të rënda shëndetësore, por çdo herë e kanë rikthyer në qeli përpara se të mund të merrte trajtimin e plotë.

Lajmi i fundit