Merkure, 28 Prill 2021 16:44

Rezoluta Dy-partiake e Dhomës së Përfaqësuesve me 225 Sponsorë Nxit një Politikë ndaj Iranit të Fokusuar tek Çështjet e të Drejtave Njerëzore dhe Terrorizmit

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Të martën, Organizata e Komuniteteve Iraniano-Amerikane-OIAC mbajti një konferencë për shtyp për të prezantuar përmbajtjen e një rezolute mbi çështjet iraniane që i është prezantuar Dhomës së Përfaqësuesve nga 225 ko-sponsorë nga të dy partitë politike.

H.Res. 118 shpreh “mbështetje për dëshirën e popullit iranian për një Republikë demokratike, laike, dhe jo-bërthamore të Iranit” dhe dënon “shkeljet e të drejtave njerëzore dhe terrorizmin shtetëror të qeverisë iraniane.”

Rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve nuk e përmend Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, por nënkupton se është dakord me idenë që politika amerikane ndaj regjimit iranian ka qenë e fokusuar tepër ngusht tek programi bërthamor dhe duhet të zgjerohet për të përfshirë më shumë presion mbi çështjet e lidhura me të drejtat njerëzore dhe terrorizmin.

Rezoluta citon një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit i cili komenton mbi operacionin terrorist duke thënë se ai ishte një shembull primar i tendencës më të gjerë të regjimit për të përdorur ambasadat “si mbulim për të organizuar sulme terroriste.” Si rrjedhim, H. Res. 118, thotë se ishte një “hap pozitiv dhe i rëndësishëm” kur qeveria shqiptare dëboi disa diplomatë iranianë në përgjigje ndaj lajmit se regjimi kishte organizuar gjithashtu veprimtari terroriste kundër disidentëve iranianë dhe anëtarëve të MEK në Shqipëri.

Rezoluta fillon duke iu referuar dy kryengritjeve mbarëkombëtare që kanë patur një impakt madhor mbi çështjet e brendshme të Iranit gjatë tre viteve të fundit. E para e këtyre kryengritjeve shpërtheu në ditët e fundit të 2017-ës dhe vazhdoi gjatë një pjese të madhe të janarit 2018, duke popullarizuar sllogane provokative anti-qeveritare si “poshtë diktatori” dhe “poshtë Rouhani,” duke iu referuar liderit suprem dhe presidentit të regjimit, përkatësisht.

Ky çiftim slloganesh nënvizon refuzimin e protestuesve për të dy fraksionet e politikës iraniane në pushtet, si atë “konservator” ashtu edhe atë “reformist” dhe tregon për faktin që publiku dëshiron një strukturë udhëheqjeje krejtësisht ndryshe, të ardhur nga jashtë sistemit aktual. Rezoluta 118 e lidh këtë objektiv me “planin me dhjetë pika” të përpiluar nga Presidentja e zgjedhur e NCRI-së, Znj. Maryam Rajavi. Rezoluta e përshkruan këtë plan si thirrje për “të drejtën universale të votës, zgjedhje të lira, dhe një ekonomi tregu,” si dhe për “barazi gjinore, fetare, dhe etnike, një politikë të jashtme të bazuar në bashkëjetesën paqësore, dhe një Iran jo-bërthamor.”

Nëse ky plan ka qenë në mendjet e pjesëmarrësve të kryengritjes së janarit 2018, ai është përqafuar në një shkallë shumë më të gjerë në nëntor 2019 – kur u zhvillua edhe kryengritja e dytë mbarëkombëtare së cilës i referohet rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve. Ndërkohë që kryengritja e parë përfshiu mbi 100 qytete të mëdha e të vogla, e dyta raportohet të ketë përfshirë gati 200. Të dyja këto kryengritje kanë spikatur për përfaqësimin e gjerë etnik, fetar, dhe shoqëror, me pjesëmarrës që përfshinin komunitetet e varfra rurale që dikur supozohej se ishin baza të mbështetjes politike për regjimin e mullahëve.

Kjo sfidë për imazhin e sigurisë politike të regjimit mund të ketë qenë një faktor madhor që ka kontribuar në ashpërsinë e përgjigjes së regjimit, sidomos ndaj kryengritjes së dytë. Siç vë në dukje rezoluta, llogaritë tregojnë se rreth 1,500 iranianë janë vrarë brenda vetëm pak ditësh në nëntor 2019. Vetë NCRI ka qenë e para që e ka ofruar këtë shifër, e cila më vonë është vërtetuar edhe nga Reuters, mbi bazën e burimeve anonime brenda Ministrisë së Brendshme të Iranit. Më vonë, në shtator 2020, Amnesty International publikoi një raport ku detajohet tortura që vazhdonte të ushtrohej në atë kohë ndaj pjesëmarrësve të kryengritjes së 2019-ës.

Ky raport u citua përbri dy rezolutave të mëparshme të Dhomës së Përfaqësuesve, me sa duket me qëllimin për të theksuar faktin që veprimi i koordinuar lidhur me këto çështje është një nevojë urgjente dhe duhej të kishte ndodhur që më parë. Njëra nga këto rezoluta të mëparshme ishte e fokusuar gjithashtu tek dhunimet e të drejtave njerëzore të lidhura me demonstratat më të fundit politike, ndërsa tjetra, H. Res. 4744, e miratuar nga Kongresi i 115-të, dënonte abuzimet e Teheranit ndaj disidentëve dhe aktivistëve më gjerësisht, dhe i kushtonte vëmendje të veçantë masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në verën e 1988-ës.

 
 

Ky incident konsiderohet gjerësisht si krimi më i rëndë kundër njerëzimit që ka ndodhur në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, e megjithatë asnjë prej personave që dihet apo dyshohet se kanë qenë pjesë e këtyre vrasjeve nuk është mbajtur përgjegjës nga komuniteti ndërkombëtar. Brenda vendit, ata janë shpërblyer, siç dëshmohet nga fakti se një nga anëtarët kryesorë të “komisioneve të vdekjes” të 1988-ës është aktualisht Ministër i Drejtësisë në Iran.

Res. 118 e risjell në vëmendje këtë çështje të rëndësishme dhe vë në dukje se komisionet e vdekjes “i kanë zhvilluar procedurat në një mënyrë të planifikuar për t’i eliminuar kundërshtarët e regjimit.” Me këtë qëllim në mendje, ekzekutimet sistematike kanë qenë të fokusuara direkt tek Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit(PMOI/MEK), e cila sot është grupi kryesor përbërës në koalicionin NCRI. Mbijetesa e këtij grupi dhe roli kryesor i tij në opozitën ndaj regjimit kanë bërë që vitet e fundit regjimi iranian ta marrë në shënjestër atë jashtë vendit, ndonjëherë edhe me sulme terroriste që kanë kërcënuar edhe interesat perëndimore të sigurisë si dhe jetët e amerikanëve e europianëve.

Rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve e sjell në vëmendje edhe këtë fakt, duke nënvizuar rëndësinë e një operacioni europian të anti-terrorizmit në 2018-ën që çoi në arrestimin dhe dënimin në një gjykatë belge të katër operativëve iranianë, duke përfshirë një diplomat të lartë i cili kishte qenë i stacionuar në ambasadën iraniane në Vienë.

Në përfundim, rezoluta vë në dukje se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë imune ndaj këtyre komploteve, gjë që dëshmohet nga fakti që dy shtetas iranianë u arrestuan atje në 2018-ën për kryerje survejimesh me qëllimin për të organizuar sulme mbi aktivistët e opozitës. Me këtë gjë në mendje, ky dokument dënon në mënyrë specifike “sulmet terroriste të sponsorizuara nga shteti iranian kundër qytetarëve dhe zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara në të shkuarën dhe në të tashmen,” si dhe sulmet kundër disidentëve dhe aktivistëve në mbarë botën.

Gjithashtu, rezoluta nxit qeverinë amerikane që të punojë me aleatët për t’i “kërkuar llogari Iranit për shkeljen e privilegjeve diplomatike, dhe t’u bëjë thirrje kombeve që t’i parandalojnë veprimtaritë malinje të misioneve diplomatike të regjimit iranian, me qëllimin për t’i mbyllur ato.” Ky izolim i ardhshëm diplomatik shihet nga sponsorët e rezolutës si një pikënisje për ushtrimin e një presioni më serioz mbi regjimin iranian lidhur me çështjet e të drejtave njerëzore dhe të shprehjes së lirë për qytetarët e tij.

Rezoluta mbyllet duke deklaruar se Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA “i qëndron përkrah popullit të Iranit që vazhdon të mbajë protesta legjitime e paqësore kundër një regjimi shtypës e të korruptuar; dhe njeh të drejtat e popullit iranian dhe luftën e tij për të themeluar një Republikë demokratike, laike, dhe jo-bërthamore të Iranit.”

Lajmi i fundit