Shtune, 01 Maj 2021 14:27

Iran- Operacione terroriste në Shqipëri dhe vendime të tjera terroriste janë marrë nga Këshilli i Suprem i Sigurisë Kombëtare (SNSC) dhe janë miratuara nga Khamenei

.

Submit to DeliciousSubmit to DiggSubmit to FacebookSubmit to Google PlusSubmit to StumbleuponSubmit to TechnoratiSubmit to TwitterSubmit to LinkedIn

Rouhani: Operacionet sulmuese që duhet të kryhen diku ndërmerren në SNSC dhe miratohen nga Khamenei. Vendimet për të gjitha çështjet e rëndësishme në rajon, Irak, Siri, Afganistan, Jemen, Liban, janë marrë në SNSC
Zarif: Ambasadorët dhe Ministria e Jashtme kanë një strukturë sigurie; agjenda e Ministrisë së Jashtme ka qenë e lidhur me politikën dhe sigurinë që në fillim

 

Në një mbledhje të kabinetit më 28 prill 2021, Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani pohoi që vendimet për operacionet terroriste, krimet, dhe veprimtaritë luftënxitëse merren nga SNSC në prani të krerëve të tre degëve dhe liderëve politikë e ushtarakë, dhe miratohen nga Khamenei.

“Vendi ynë ka një sistem dhe strukturë të saktë,” tha ai. “Të gjitha çështjet komplekse të politikës së jashtme dhe të fushës së mbrojtjes diskutohen në Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, qoftë kur duam të [kryejmë] një operacion mbrojtës, qoftë kur duhet të kryejmë një operacion sulmues diku, qoftë kur duam të ndërmarrim një detyrë të rëndësishme politike … Këto gjëra pa dyshim që diskutohen në SNSC. SNSC është organizuar në mënyrë të tillë që të lejojë që krerët e tre degëve të jenë të pranishëm dhe që degët e ushtrisë dhe të qeverisë të bëhen bashkë. Atje ka komandantë ushtarakë dhe zyrtarë politikë. Ne diskutojmë dhe në fund, vendimi ynë duhet të miratohet nga Lideri Suprem, kështu që nuk kemi probleme; mund të kemi mendime të ndryshme dhe mosmarrëveshje, por në fund, gjërat diskutohen dhe merret vendimi në një këshill. Të gjitha çështjet e rëndësishme në rajon, qoftë në Irak, Siri, Afganistan, Jemen apo Liban, janë diskutuar në SNSC dhe për to janë marrë vendimet po në këtë këshill.”

Në regjistrimin audio të nxjerrë në internet, Ministri i Jashtëm i regjimit Javad Zarif thekson: “Shumica e ambasadorëve të Ministrisë sonë të Jashtme kanë një strukturë sigurie. Ministria jonë e Jashtme është përballur me çështje sigurie që kur ka nisur të operojë. Agjenda e Ministrisë së Jashtme ka qenë një agjendë politike dhe sigurie që në fillim të revolucionit. Në vitet 1990, ata e mbyllën drejtorinë ekonomike të Ministrisë dhe në vend të saj krijuan drejtorë rajonalë tendencat e të cilëve kanë qenë më shumë të lidhura me politikën dhe sigurinë.”

Zarif kishte thënë më parë gjatë seancës së 5 nëntorit 2018 në Parlament se: “Ne nuk jemi një entitet që vepron i pavarur … A ka ndonjë gjë që mund ta bëjmë në këtë vend pa e raportuar?” “Nuk është e vërtetë që donim të bënim diçka kundër dëshirës së Liderit Suprem,” shtoi ai.

Gjatë tre dekadave të fundit, Rezistenca Iraniane e ka deklaruar vazhdimisht se  vendimet për operacionet kriminale terroriste, duke përfshirë komplotin terrorist kundër tubimit të Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK) me rastin e Novruzit në mars 2018 në Shqipëri dhe tubimin Irani i Lirë në Villepinte të Parisit në qershor 2018, janë marrë nga SNSC, nën kryesimin e Rouhani dhe në praninë e komandantëve të IRGC dhe ministrit të Punëve të Jashtme e atij të Inteligjencës, dhe janë miratuar nga Khamenei.

Në 1997-ën, një gjykatë në Berlin pati arritur në konkluzionin se vendimi për të kryer operacione terroriste jashtë vendit ishte marrë nga Khamenei, Presidenti i atëhershëm Akbar Hashemi Rafsanjani, Ministri i Jashtëm Ali Akbar Velayati, dhe Ministri i Inteligjencës Ali Fallahian.

Këto zhvillime konfirmojnë sërish faktin që të gjitha teoritë për mungesën e dijenisë nga ana e Khamenei-t apo Rouhani-t e Zarif-it e liderëve të tjerë të regjimit lidhur me krimet terroriste nuk ka qëllim tjetër veçse të fshehë ekzistencën e terrorizmit të sponsorizuar nga shteti dhe ta ndihmojë regjimin që t’u shmanget pasojave të këtyre krimeve madhore. Khamenei, Rouhani, Kryegjyqtari Ebrahim Raisi, Kryetari i Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, Javad Zarif, Ministri i Inteligjencës Mahmoud Alavi, dhe liderë të tjerë të regjimit të përfshirë direkt në masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë, në vrasjen e demonstruesve, eksportin e terrorizmit, dhe veprimtaritë luftënxitëse gjatë këtyre dekadave të fundit duhet të përballen me drejtësinë për krime kundër njerëzimit.

Lajmi i fundit