Bijan Pooladrag, është dërguar në gjyq pas tre vitesh hetime nga prokurorët e posaçëm të SPAK dhe akuzohet për disa vepra penale. Ky shtetas nga Irani, kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte strehuar në një familje vendase, me qëllim spiunimin e muxhahedinëve që jetojnë në Manëz të Durrësit.
47 vjeçari akuzohet se ndërhynte në të dhënat kompjuterike në mënyrë të paligjshme. Nga hetimi ka rezultuar se ai kryente komunikime në gjuhën iraniane nëpërmjet aplikacionit Telegram. Vajza e familjes ku ai strehohej në Tiranë, si i larguar nga regjimi i Iranit, zbuloi bisedat dhe Bijan Pooladrag u arrestua nga Policia.
“Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal është dërguar për gjykim i pandehuri Bijan Pooladrag (shtetas nga Irani), pasi akuzohet se ka konsumuar elementet e veprave penale, “Kryerja e sherbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, “Organizata Terroriste”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimi i pajisjeve” – njofton SPAK.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale:
“Lidhur me përfundimin e hetimeve për procedimin penal nr.196 të vitit 2019”
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.196 të vitit 2019, për veprat penale “Vepra me qëllime Terroriste”, “Organizata Terroriste”, “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj” dhe “Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj”, të parashikuara nga nenet 230/a, 234/a , 265/a dhe 265/b të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal është dërguar për gjykim i pandehuri Bijan Pooladrag (shtetas nga Irani), pasi akuzohet se ka konsumuar elementet e veprave penale, “Kryerja e sherbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, “Organizata Terroriste”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimi i pajisjeve”, parashikuar nga nenet 230/ç ,234/a/2, 293/a/1, 293/b/1, 293/c/1 dhe 293/ç të Kodit Penal.